‘Zgjedhjet shtojnë infektimet’/ Brataj: Muaji maj do të jetë problematik

62

Shefi i Urgjencës Kombëtare ka treguar se në periudhën pas fushatës elektorale janë shtuar thirrjet për Covid, vizitat në banesë si dhe ka një rritje të lehtë të shtrimeve në spital.

“Patëm disa ditë që qendrën e Urgjencës Kombëtare ishin zero kërkesat për tampon, tani kanë filluar janë rritur, 7-15 në 12 orë. Po vihet re edhe një rritje e lehtë e shtrimeve në spital. Nëse këto kohë kishim 10-12 tani kanë shkuar deri në 20 numri i të shtruarve në ditë.”- tha kreu i Urgjencës Kombëtare për A2.

Ai shprehet se kurba e infektimeve do të vijojë ngjitjen për të arritur pikun në javën e tretë të majit. Kjo do të ndihet veçanërisht në zonat rurale të paprekura më parë nga virusi.

“Tubimet dhe grumbullimet më të mëdha u bënë ditët e fundit dhe duhen 2-3 javë për të parë se sa do te jetë rritja. Kuptohet që do të ketë një rritje fiziologjike më të vogël se herët e tjera, por mosrespektimi i masave po e tregon më së miri këtë.”- tha Brataj.

Brataj ka lëshuar kritika ndaj forcave politike të cilat shpërfillën, sipas tij, masat anti-Covid, në fushatë, për zgjedhje por edhe gjatë tubimeve festive.

“Këtë muaj pati shkelje nga të gjitha palët, nga të gjitha format gjë që do të vërtetohet ditët në vijim. Ne specialistët nuk mund të bëjmë më shumë se sa të këshillojmë dhë të informojmë se në këto situata rrezikojmë shëndetin tonë.”- tha Brataj.